U arrestua se kërcente, valë solidariteti për adoleshenten në Iran

09/07/2018 12:02

Gratë në Iran kanë postuar video të tyre duke kërcyer, online, në mbështetje të një adoleshenteje që është arrestuar për këtë shkak.

Maedeh Hoxhabri, ka tërhequr me mijëra ndjekës në “Instagram” me video të saj duke kërcyer me muzikë pop iraniane dhe perëndimore.

Të premten, televizioni shtetëror, publikoi atë që dukej si një pranim faji i saj. Përdoruesit e mediave sociale ndanë video dhe mesazhe mbështetëse për të rënë, duke përdorur “hashtagë” si për shembull kërcimi nuk është një krim.

Qeveria iraniane ka rregulla strikte për sa i përket veshjes së grave dhe kërcimit me anëtarë të seksit të kundër në publik, që është i ndaluar përveçse përballë pjesëtarëve të ngushtë të familjes.

Videot e Hoxhabrit, tregonin atë që kërcente në shtëpi, pa shaminë e detyrueshme të kokës apo pa perçen. Edhe disa vajza të tjera, që kanë bërë diçka të ngjashme, raportohet se janë arrestuar javët e fundit.

E kjo nuk është hera e parë që kërcimtaret në Iran arrestohen se kanë kërcyer. Më herët këtë vit, një zyrtar u arrestua në qytetin Mashhad, pasi u bënë publike pamje ku shiheshin një turmë burrash dhe grash që kërcenin në një qendër tregtare në qytet ndërsa gjashtë persona u arrestuan pasi kishin kërcyer zumba në gusht.

Në 2014, gjashtë iranianë të rinj që postuan një video të tyren që kërcenin nën tingujt e këngës hit të Farell Ëilliams, “Happy”, në rrugë apo në tarraca në Teheran, morën dënime që më pas u pezulluan e që shkonin deri në një vit burg dhe 91 goditje me kamxhik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA