Gjykata e Tiranës la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 41-vjeçarin Klodian Ciruna, i cili akuzohet për mashtrime me pasoja të rënda. Të paktën vetëm nga kallëzimet e depozituara deri më tani, Ciruna dyshohet se ka përvetësuar nëpërmjet mashtrimit, mbi 800 mijë euro.

Skema e tij e mashtrimit, duke premtuar leje ndërtimi në këmbim të shumave të majme, disa qindra mijëra euro, mund të vazhdonte nëse Ciruna nuk do të përdorte në skenarin e tij, emrat e drejtuesve të lartë të bashkisë së Tiranës, apo djalit të kryeministrit.

Burimet pohuan për Top Channel se 41-vjeçari duke shfrytëzuar një kompani “call center” që kishte hapur, u çonte mesazhe telefonike sikur ishin shkruar nga drejtues të lartë të bashkisë, personave që u kishte marrë eurot dhe u kishte premtuar lejet e ndërtimit. Në këto mesazhe të falsifikuara, viktimat e Cirunës siguroheshin se strukturat e bashkisë ishin duke përgatitur lejet e ndërtimit.

Duke parë se ky lloj mashtrimi po mbante të qetë klientët e Cirunës, ky i fundit mendoi të bëhej edhe më i besueshëm, kur i dërgon një ndërtuesi një mesazh, sikur e kishte shkruar djali i kryeministrit dhe ku ndërtuesit i premtohej se do t’i jepej rikonstruskioni i piramidës dhe disa rrugëve në kryeqytet.

Në këtë moment ndërtuesi ka dyshuar seriozisht dhe pasi ka informuar me mesazh kryeministrin, mori përgjigjen prej tij se ky ishte një mashtrim. Atëherë ndërtuesi denoncoi Klodian Cirunën, denoncim i cili u pasua edhe me të tjerë persona që ishin mashtruar në shuma të konsiderueshme.

Organi i akuzës beson se përveç personave që kanë depozituar kallëzim, Ciruna ka mashtruar edhe të tjerë të cilët për momentin nuk kanë vendosur ta denoncojnë, ndërsa vetë i arrestuari nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA