Krahas projektit për ndërtimin e 20 shkollave të reja, Bashkia e Tiranës po kujdeset që shkollat ekzistuese të përmirësojnë kushtet për të mirëpritur nxënësit e tyre.
Një prej shkollave që iu nënshtrua rikonstruksionit nga Bashkia e Tiranës është edhe gjimnazi “Sami Frashëri”, nxënësit e të cilit mund të studiojnë në mjedise moderne.
Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e kompanisë “Philip Morris” dhe organizatës “Milieukontakt Shqipëri”, rikonstruktuan fushat sportive brenda dhe jashtë shkollës, sallat e zhveshjes, dyert e klasave, si dhe laboratorët shkencorë (biologji, kimi dhe informatikë).
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se është vetëm çështje kohe që investime të tilla të prekin të gjitha zonat në kryeqytet. “Shumica e shkollave të Tiranës tashmë janë rregulluar, duke filluar nga “Qemal Stafa”, që u ribë nga e para, duke shtuar disa klasa e 4-5 fusha të tilla. Ishte vetëm çështje kohe që edhe te Samiu të vihej dorë”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se Tirana është kthyer tashmë në një kantier ndërtimi, ku po punohet nga qendra deri në zonat rurale. Veliaj shprehu mirënjohjen për individët dhe kompanitë që tregojnë përgjegjshmëri të lartë sociale, duke kontribuar në realizimin e një sërë investimesh në dobi të komunitetit. “Jemi në një situatë ku Tirana është kthyer në një kantier pune, nga Sheshi “Skënderbej” deri në fshatin më të largët. Në Tiranë kemi mbi 240 insitucione arsimore, shkolla, kopshte, çerdhe, çka do të thotë se na duhet shumë mund dhe staf në terren, por ama kur kemi miq të përbashkët, kur i ndajmë disa përgjegjësi, na jep një kënaqësi shumë të veçantë. Ndaj, dua t’i falenderoj me gjithë zemër për ndihmën dhe bujarinë”, deklaroi ai.
Një vlerësim të veçantë, kreu i Bashkisë shprehu për stafin pedagogjik, të cilët japin një kontribut të çmuar në edukimin dhe formimin e të rinjve të kryeqytetit. “Nuk ka një njeri që ta shënon jetën, siç ta shënon një mësues ose një mësuese e mirë, i cili mund të të lërë gjurmë, një kujtim, që të frymëzon, që mund edhe të të kritikojë, por të jep aq shumë dobi në një moment kur t’i mendon se je i pakritikueshëm. Një falenderim i veçantë shkon për të gjithë mësuesit dhe mësueset”, theksoi Veliaj.
Ndërsa, Radmilo Vlacic, Menaxher i Përgjithshëm i “Philip Morris Albania”, falenderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin në këtë nismë të përbashkët dhe shprehu angazhimin që në të ardhmen të shkohet më tej për të mbështetur shkencën dhe të rinjtë në vendin tonë. “Mbështetja ndaj arsimit dhe shkencës është thelbësore për Philip Morris. Ndaj, dhe jemi shumë të gëzuar që mbështetëm rinovimin e kësaj shkolle, duke ditur që kushte më të mira dhe më bashkëkohore, motivojnë për rezultate më të mira në edukim dhe në shërbim të komunitetit. Në të ardhmen e afërt, ne synojmë të shkojmë një hap më tej dhe të intensifikojmë mbështetjen tonë direkte për shkencën në Shqipëri. Kjo është një fushë ku ne besojmë që kontributi ynë mund të ketë impakt real për brezat që do të vijnë”, tha Vlacic.
Top Channel