Zhytësit në Tajlandë do të rifillojnë operacionin e rrezikshëm për nxjerrjen e tetë djemve të mbetur në shpellë, dhe trajnerit të tyre.
Katër nga djemtë, u nxorën nga shpella shëndoshë e mirë të dielën, por misioni u ndal gjatë natës në mënyrë që të zëvendësoheshin bombolat e ajrit.
Djemtë mbetën të bllokuar në shpellë më 23 qershor, pasi shira të rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje të mëdha, por u gjetën gjallë javën e kaluar nga zhytësit.
Skuadrat e shpëtimit vendosën të nisin operacionin e vështirë të lirimit të tyre për shkak të frikës se niveli i ujit mund të rritet sërish. Skuadrat e shpëtimit përfituan nga pushimi i shirave të dielën, për të nisur misionin më herët nga sa pritej.
Faza e parë e misionit u zhvillua shpejt dhe djemtë e shpëtuar janë në shëndet të mirë thonë autoritetet tajlandeze. Por, me shirat që vijuan gjatë natës dhe akoma më shumë reshje të parashikuara për në ditët në vijim,zhytësit do të duhet të punojnë akoma më shpejt për të nxjerrë nga shpella edhe të bllokuarit e mbetur.
Zyrtarët kanë bërë të ditur se ekipet kanë një dritare tre apo katër ditëshe për të kryer operacionin e tyre. Një ekip prej 90 zhytësish ekspertë, 40 nga Tajlanda dhe 50 nga vende të tjera, është angazhuar në operacion.
Arritja deri në vendin ku djemtë ndodhen, është jo pak e vështirë, edhe për zhytësit me eksperiencë. Bëhet fjalë për një miksim ecjeje, ngjitjeje dhe zhytjeje. Çdo djalë që do të dalë nga shpella, do të shoqërohet nga dy zhytës, që po ashtu kanë edhe rezerva oksigjeni.
Top Channel