Një ditë pas arratisë nga Porti detar i Durrësit dhe ujërat shqiptare, anija tregtare “Sea Scanner” vazhdon lundrimin drejt brigjeve kroate.
Kapiteneria e Portit detar Durrës informoi se anija i është drejtuar Portit të Rijekës, në Kroaci, ku pritet të mbërrijë mëngjesin e së hënës, ndaj dhe autoritetet tona kanë njoftuar Kapitenerinë e portit kroat për largimin e paautorizuar të anijes, që ka ende në hambarë një sasi prej 500 tonësh kripë të destinuar për tregun shqiptar, por që rezultoi e dëmtuar.
Kjo sasi, pjesë e ngarkesës 6.000 tonëshe, u kthye në objekt të një mosmarrëveshjeje tregtare mes subjektit pritës të mallit “Jurgen XXL”, subjektit dërgues dhe transportuesit, që është kompania egjiptiane “Sea Scanner Logistics”, e cila nga hetimet e para të dokumentacionit të anijes së saj rezulton të ketë probleme me siguracionin e mjetit dhe rrjedhimisht probleme në mbulimin e dëmshpërblimit.
Pa u zgjidhur ky konflikt tregtar dhe me ngarkesën e zhdoganuar në Durrës, anija me kapiten sirian u largua në orët e para të së shtunës, pa lajmëruar autoritetet shqiptare nga rada portuale e Durrësit.
Pronari i subjektit shqiptar, për llogari të të cilit ishte ngarkesa me kripë, ka denoncuar në polici vjedhjen flagrante të ngarkesës së mbetur në anije dhe mungesën e reagimit të strukturave shtetërore, që mbrojnë sigurinë portuale dhe kufitare në Durrës.
Top Channel