Autoritetet amerikane urdhëruan kryerjen e testeve të ADN-së për mbi 3.000 fëmijë emigrantë, në përpjekje për të bashkuar familjet që janë ndarë në kufirin e SHBA-ve me Meksikën.
Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Alex Azar tha se testet ishin të nevojshme për të respektuar afatin e vendosur nga gjykata për të bashkuar familjet, pasi metodat e zakonshme janë tepër të ngadalta.
Azar, agjencia e të cilit mbikëqyr qendrat e ndalimit të emigrantëve, tha se rreth 100 prej fëmijëve janë nën 5 vjeç. Javët e fundit, mijëra fëmijë janë ndarë nga prindërit e tyre, të cilët u arrestuan pasi kaluan ilegalisht kufirin amerikan.
Fëmijët u mbyllën në qendra pritjeje dhe kjo politikë u sulmua shumë ashpër, derisa një gjykatë amerikane vendosi se agjencia e Shëndetësisë ka kohë deri më 10 korrik që të bashkojë fëmijët nën 4 vjeç me familjet, e deri më 26 korrik për ata nga 4 deri 17 vjeç.
Por, kritikat për planin e qeverisë nuk kanë munguar. Grupe të ndryshme për të drejtat e njeriut thonë se politika e “tolerancës zero” ndaj emigracionit nisi në mënyrë kaotike, duke ndarë fëmijët nga familjet, e tashmë po vijon po në të njëjtën mënyrë.
Ata thonë se është e qartë që autoritetet nuk kanë asnjë ide si të bashkojnë fëmijët me prindërit e tyre. Po ashtu është kritikuar dhe testi i ADN-së, pasi janë ngritur dyshime se qeveria mund ta përdorë atë më vonë për të gjurmuar emigrantët.
Top Channel