Debati për projektligjin e Teatrit të ri Kombëtar u përshkallëzua në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, me kreun e opozitës Lulzim Basha dhe përfaqësues të tjerë të saj që akuzuan shumicën për vjedhje me procedurë të përshpejtuar.
Në fjalën e tij të shkurtër, Basha kërkoi llogaridhënie nga kryeministri i munguar në Kuvend dhe i bëri thirrje kryeparlamentarit të zbatonte procedurat e seancës, pasi ajo çfarë tha ministrja Kumbaro në lidhje me projektligjin e shumëdiskutueshëm nuk mjaftonte, kur përballë ka një listë të gjatë me pyetje nga opozita.
“Keni sjellë një projektligj me urgjencë për të vjedhur Teatrin. Për të pastruar 200 milionë eurot e drogës po përdorni procedurën me emergjencë. Emergjencën tuaj për të vjedhur e ka kuptuar gjithkush, edhe ata qindra mijëra qytetarë dhe artistë që protestojnë jashtë. Por të paktën ruani rendin. Çfarë mendoni ju, nga e keni marrë pushtetin? Mendoni se ata kriminelë dhe ato lekë droge do t’iu mbrojnë deri në fund? Po i vini flakën Parlamentit”, deklaroi Basha.
Duke i cilësuar përfaqësuesit e shumicës si hajdutë, që kërkojnë të pastrojnë paratë e drogës në projektin për Teatrin Kombëtar, ai shkaktoi reagimin e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, që e kundërshtoi në këtë pikë, e madje i kërkoi Byrosë së Kuvendit të merrnin masë ndaj kryeopozitarit për fjalë fyese në seancë plenare.
“Të gjitha kauzat e tyre janë fashitur në betejat e tyre me mullinjtë e erës. Kjo është e njëjta betejë sikurse për bulevardin, për sheshin ‘Skënderbej’, për parkun, për stadiumin ‘Qemal Stafa’. Këta persona të papërgjegjshëm, në gjuhën që përdorin dhe retorikën e tyre politike të papranueshme nuk mund të lihen jashtë vëmendjes. Grupi parlamentar i PS-së, për deputetin parafolës (Bashën) do t’i kërkojë Byrosë së Kuvendit marrjen e masës ndëshkimore”, deklaroi Balla.
Por Lulzim Basha mori sërish fjalën, duke akuzuar shumicën se po përpiqet t’i mbyllë gojën opozitës.
“Mbroni krimin dhe kërkoni t’i mbyllni gojën opozitës? Mendoni se kështu do ta shtyni e do të mbuloni vjedhjen e shekullit me propagandë? Do të na mbyllni gojën me një palo Kod Etike? Kodi i Etikës është mos vidh, mos bashkëpuno me krimin, mos emëro ministra të lidhur me drogën e krimin për të luftuar krimin. Kjo seancë ka vetëm një mënyrë për të vazhduar: përgjigjuni pyetjeve të hartuara nga kolegët e LSI-së”, deklaroi Basha.
Top Channel