Prokuroria e do Tahirin në burg. Rekurs, pas lirisë që i dha Apeli i Krimeve të Rënda

05/07/2018 12:35

Më tepër se një muaj pasi e humbi Saimir Tahirin edhe në Gjykatën e Apelit, Prokuroria i hedh sytë nga Gjykata e Lartë. Mëngjesin e kësaj të enjteje, akuza ka dorëzuar rekursin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, duke këmbëngulur që ndaj tij të urdhërohet “arresti me burg”.

Pavarësisht se kjo kërkesë u rrëzua në shkallët më të ulëta, për të paktën 16 ditë akuza ia doli ta mbyllte në shtëpi ish-ministrin, i cili deri më tani i ka mbyllur me fitore të gjitha përplasjet me grupin e hetuesve.

Tashmë që në Gjykatën e Lartë përcillet një kërkesë e dytë, më e ashpër se e mëparshmja që ishte për bllokim pasaporte, nuk është çudi që edhe ajo të qëndrojë në pritje.

Rekursi për bllokim pasaporte qëndron pa u shqyrtuar që prej muajit shkurt, atëherë kur u zgjodh me short Kolegji Penal dhe ende nuk ka një vendimmarrje, qoftë edhe në dhomë këshillimi.

Ajo që dihet është se, gjyqtarët e lartë kanë probleme më të mëdha sesa çështja “Tahiri”. Për ta, tashmë është prioritare vettingu, përderisa shumica prej tyre janë në komunikim elektronik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe presin datën për seancën publike.

Për Saimir Tahirin, Gjykata e Apelit, në vendimin më të fundit është shprehur se nuk ekziston rreziku për t’u larguar dhe as mundësia që ai të ndikojë në dëmtimin e provave.

E ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda është në pritje të letërporosive nga Mali i Zi dhe Italia, për Saimir Tahirin jeta nuk ngjan aspak si ajo e një njeriu nën ankthin e hetimeve. Në rrjetet sociale, Saimir Tahiri, tashmë edhe pa mandat deputeti, shfaqet mes njerëzve, pikërisht ditën kur Partia Socialiste kishte festën.

Por më pikante janë statuset e tij, si ai i 4 ditëve më parë “një thumb larg”, ku ai shfaqet i maskuar si një bletërritës, ose duke kalëruar në det me përshkrimin “për Itali”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA