“Duam të shohim rezultate. Peshqit e mëdhenj duhet të ndiqen penalisht, të dënohen dhe të futen në burg. Ky do të ishte sukses”.
Në nëntor të vitit të kaluar, Donald Lu foli me emra konkretë për “peshqit e mëdhenj që hanë të vegjlit”.
Në atë kohë, ambasadori amerikan tha se do të priste janarin për arrestime të bujshme. Por, nga ajo deklaratë kanë kaluar 8 muaj dhe nga i njëjti aktivitet, “Forca e Ligjit”, e ndoshta për herë të fundit përpara se të largohet në Kirgistan, Donald Lu flet sërish për “peshqit e mëdhenj”, ende të pangrënë.
E këtu, për dështim fajëson qeverinë e prokurorinë.
“Dua të theksoj një dështim të qeverisë, prokurorisë dhe policisë, për të arrestuar Klement Balilin. DEA punoi me policinë greke për të arrestuar disa anëtarë të bandës së Balilit në Greqi. Më pas, gjykatat greke e dënuan Balilin me dënim të përjetshëm. Balili është një bos i krimit të organizuar me lidhje politike. Për dy vite, qeveria, policia dhe prokurorët, nuk kanë pasur aftësinë ose s’kanë dashur ta kapin. ONM-ja ka thënë se do të përfundojë këtë verë kalimin në Vetting. Kokat e krimit duhet të kenë frikë. Drejtësia për ta po vjen”, tha Donald Lu, ambasador i Shteteve të Bashkuara.
Edi Rama tha se e mirëkupton shqetësimin e përsëritur të ambasadorit.
“Padiskutim, arritja në kapjen e këtij personazhi të botës së krimit është një domosdoshmëri dhe do të jetë sukses i madh. Sot është në kërkim dhe patjetër që, në bashkëpunim me partnerët, herët ose vonë do të kapet. Siç tregojnë dhe shembujt nga vendet e tjera, herët ose vonë do të kapet”, deklaroi Rama.
Në fund, përpara zyrtarëve më të lartë të vendit, por edhe të BE-së, Lu kishte edhe një mesazh drejtuar “peshqve të mëdhenj”.
“Kokat e krimit duhet të kenë frikë. Drejtësia për ta po vjen…”.
Top Channel