Lëkundjet e tërmetit kanë vijuar edhe përgjatë natës. Pas panikut dhe shqetësimeve të shkaktuara thuajse gjatë të gjithë ditës së mërkurë, prej orës 11:02 kur u ndie edhe lëkundja më e fortë, dy të tjera kanë rënë pas mesnate.
E para me magnitudë 4.1, duke qenë pak më e lehtë sesa ajo e paradites së një dite më parë, ndërsa e dyta me magnitudë 3.1. Një tjetër lëkundje është regjistruar në detin Adriatik në orën 2:48 pas mesnate, me magnitudë 3.3. Por, që të gjitha këto lëkundje nuk kanë shkaktuar probleme.
Një ditë më parë, dhjetëra banesa u dëmtuan nga lëkundjet e forta të tërmetit që goditi Shqipërinë. Në Tiranë, Durrës dhe Elbasan janë 40 shtëpi të dëmtuara në zonat rurale.
Dëme janë regjistruar edhe në Qarkun e Lezhës. Një ndër to, shtëpia e Ndue Gegës në fshatin Selitë të Malësisë së Kurbinit, ku për fat banorët shpëtuan pa lëndime.
“Është bërë e pabanueshme, unë sot do të nxjerr krevatin jashtë. Jam vet i pestë në shtëpi, kam 3 fëmijë. Siç edhe shihet, është larguar rreth një pëllëmbë muri me tavanin, ndërkohë që ka edhe plasaritje të murit nga ana e jashtme”, thotë Ndue Gega.
Të njëjtin fat kanë pasur edhe disa banesa të tjera në zonë, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë dhe Emergjencave për verifikimin e dëmeve.
Top Channel