Kritikoi ashpër policinë, Rama i përgjigjet “flakë për flakë” ambasadorit Lu

05/07/2018 11:31

Kryeministri Edi Rama, gjatë aktivitetit “Forca e ligjit në veprim: arritje dhe sfida”, mori fjalën pasi ambasadori amerikan Donald Lu “fshikulloi” ashpër policinë dhe prokurorinë. Lu tha se nuk ka pasur aftësi ose vullnet për të arrestuar Balilin, por kreu i qeverisë u përgjigj se “policia shqiptare e ka garantuar që paprekshmëria e individit nuk ekziston më, duan apo nuk duan ta pranojnë shqiptarët apo të huajt”.

Rama ia kaloi fajin gjykatave: “Ka disnivel mes asaj që bën policia dhe asaj që bëjnë gjykatat. Policia është përgjegjëse për paprekshmërinë e individëve, gjykata është përgjegjëse për ndëshkueshmërinë e kujtdoqoftë”.

“Çështja e rendit ligjor dhe e barazisë para ligjit nuk ka vetëm anën e paprekshmërisë. Ka aspektin tjetër: ndëshkueshmërinë e çdo personi në proceset gjyqësore, pavarësisht statusit shoqëror dhe pasurisë. Në këtë aspekt jemi të vetëdijshëm se shkatërrimi i procesit ligjzbatues në sallat e gjykatave është normë. Janë mbi 100 raste kriminelësh që janë liruar në sallë dhe kanë përsëritur krimet”, u shpreh kryeministri.

Rama shtoi se “4 vite më parë shqiptarët ishin të ndarë në të prekshëm dhe të paprekshëm; semaforët ishin të kuq për të zakonshmit dhe jeshilë për të pushtetshmit; deputetët dhe zyrtarët e lartë parkonin mbi çdo trotuar; raporti me ligjin i individëve kalonte përmes përkatësisë së tyre politike; operacionet e Policisë së Shtetit për kokat e krimit tradhtoheshin nga kupola e Ministrisë së Brendshme; të gjitha këto i përkasin të shkuarës dhe besoj që nuk është pak për të parë të nesërmen e sigurtë përmes kësaj retrospektive”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA