Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia, monitoroheshin nga autoritetet ruse muaj përpara se të sulmoheshin me agjentin kimik “Novichok”.
Raporti i BBC-së vjen një ditë pas zbulimit se i njëjti agjent është përgjegjës për helmimin e dy personave në Wiltshire, fare pranë vendit ku u sulmuan Skripalët, megjithëse nuk ka konfirmim se edhe ky rast është një sulm.
Megjithatë, BBC-ja thotë se qeveria britanike, në një letër dërguar NATO-s pretendon se autoritetet ruse kishin hyrë në adresën e postës elektronike të Yulia Skripalit në vitin 2013.
Sipas BBC-së, në dokumente të tjera shkruhej se ndërhyrja ruse ishte shumë më e madhe sesa kaq. Sergei Skripal dhe vajza e tij u helmuan në Salisbury në muajin mars dhe 4 muaj pas ngjarjes, ndërsa policia nuk thotë ende nëse ka të dyshuar, çështja e qeverisë britanike ndaj Rusisë bazohet në të dhëna sekrete.
Përgjimi i Skripalëve nga rusët u mor vesh pas helmimit të tyre, por ka dyshime që kjo të ishte e ditur që para ngjarjes, diçka që sjell pyetjen “përse nuk u morën masa?”.
Shfaqja e të njëjtit agjent kimik në të njëjtën zonë të Britanisë, 4 muaj më pas, ngre dyshime serioze për atë që po ndodh, por ndërsa bëhet fjalë vetëm për dyshime dhe të dhëna që vijnë nga kanale të errëta, duket se autoritetet britanike kanë vendosur të tregohen të matura për të akuzuar sërish, sidomos duke parë nivelin tejet të ulët të raporteve me Rusinë.
Top Channel