“Qendrat e emigrantëve në Mesdhe nuk do ta zgjidhin si me magji problemin e Bashkimit Europian”, thuhet në ambientet e OKB-së.
Javën e kaluar, vendet e bllokut ranë dakord të forcojnë kontrollet në kufijtë e tyre të jashtëm e të shpenzojnë më shumë për ngritjen e kampeve në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, ku të verifikohen emigrantët që në fillim.
Pjesa më e madhe e atyre që i hyjnë rrugës së rrezikshme detare mbërrijnë në Itali, por nuk janë të pakta edhe rastet e vdekjeve. Më shumë se 1.300 u regjistruan vetëm këtë vit.
Kreu i Organizatës ndërkombëtare të Emigracionit “IOM”, Eugenio Ambrosi tha për “Reuters” se, 10 qendra ekzistuese në Greqi e Itali mund të përmirësohen e të tjera ndoshta ngrihen në Maltë.
Por, hapja e kampeve të reja në Mesdhe, siç duan vendet e bllokut, mund të kërkojë kohë.
“Përpara se të shkosh jashtë Europës e të kërkosh ndihmë, duhet të kesh garancinë se një numër i mjaftueshëm vendesh europiane do të jenë të gatshme të ndihmojnë njëra-tjetrën”, thotë Ambrosi.
Shefi i “IOM”-it e kundërshton idenë e çeljes së këtyre qendrave në Libinë e përfshirë nga kaosi, ndërsa nënvizon se populistët në BE harrojnë faktin e rëndësishëm që numri i mbërritjeve të reja është tkurrur ndjeshëm që prej vitit 2015.
“Nuk është problem real emigracioni, është çështje politike. Nuk ka zgjidhje të shpejta për këtë situatë, nuk ka pasur kurrë të tilla”, këmbëngul ai.
Top Channel