Policia britanike lajmëroi se mashkulli dhe femra që u gjetën pa ndjenja në zonën Wiltshire, në Amesbury, ishin helmuar me “Novichok”, e njëjta substancë kimike që u përdor 4 muaj më parë ndaj ish-spiunit rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij Yulia.
Autoritetet lajmëruan se dy personat në fjalë, që besohen se janë Charlie Rowley dhe Dawn Sturgess, janë në gjendje kritike në një spital në Salisbury, ndërsa mësohet se nuk është zbuluar asnjë person tjetër me të njëjtat simptoma.
Dy personat u gjetën në një shtëpi në Wiltshire, vetëm 10 km larg vendit ku 4 muaj më parë u helmuan Skripali dhe vajza e tij.
Policia britanike tha se e shkuara e dy personave nuk sugjeron asnjë arsye, përse ata të jenë bërë objektiv i sulmit, por fakti që është përdorur e njëjta substancë si në rastin e ish-spiunit ofron një linjë hetimi.
Autoritetet thanë se rreziku për publikun mbetet shumë i ulët, por vazhdojnë të mbajnë të izoluara disa nga vendet ku dy personat e helmuar kishin qenë para se të shfaqnin simptomat.
Një nga hipotezat, duke qenë se dy invididët nuk shfaqin arsye të dukshme për t’u sulmuar, është se ata mund të kenë gjetur apo prekur pa dashje ndonjë mbetje të lëndës kimike të përdorur në rastin “Skripal”.
Analistët thonë se ky do të ishte skenari më i mirë, pasi nëse vërtet kanë qenë objektiv sulmi, duket se Britania po shndërrohet ngadalë në terrenin e larjes së hesapeve mes njerëzve të shërbimeve sekrete.
Top Channel