Nuk kanë më uri dhe frikë, nuk kanë më as ftohtë, por sidoqoftë 12 futbollistët e vegjël dhe trajneri i tyre janë ende në thellësinë e shpellës, ku i gjetën forcat e shpëtimit në Tajlandë.
Videot e reja të publikuara nga autoritetet i shfaqin ata duke buzëqeshur, e ashtu siç duken janë vërtet në shëndet të mirë, por nxjerra e tyre nga shpella është një kokëçarje më vete.
Një problem kaq serioz, saqë ushtria tajlandeze sugjeroi se zgjidhja më e mirë është që ata të presin aty për disa muaj, derisa të tërhiqen ujërat e përmbytjes, e pastaj të dalin.
U deshën zhytës profesionistë që të mbërrinin deri te djemtë e t’i gjenin, ndërsa ekspertët thonë se është e pamundur që atyre t’u mësohet të bëjnë të njëjtën gjë, sidomos në kushtet e shpellës.
Kjo e fundit, në disa vende është kaq e ngushtë saqë është e detyrueshme zhytja e lirë pa bombola oksigjeni, e pamendueshme për futbollistët e vegjël. Autoritetet janë të shqetësuara se, stina e reshjeve sapo ka nisur dhe niveli i ujërave brenda tokës do të vazhdojë të rritet, prandaj djemtë duhen nxjerrë që aty sa më shpejt të jetë e mundur.
Top Channel