Ka shumë përbërës me çfarë mund të mbushim domatet. E rëndësishme është të zgjidhni domate të mëdha dhe të mira.

Përbërësit për këtë recetë duhen: 3 domate, dy patate, 1 qepë, disa thelpinj hudhër, djathë të grirë, mish të grirë, kanellë shkop, majdanoz, kripë, piper dhe vaj ulliri.

Përgatitja: Pastrojmë patatet dhe i presim në copa që të ziejnë sa më shpejt, pasi do t`i bëjmë pure.

Pasi kemi vendosur patatet në zjarr, vazhdojmë me mbushjen e domates. Domateve i heqim pjesën e brendshme, të cilën e kalojmë në mikser dhe e bëjmë pure.

Në një tigan me vaj ulliri kalojmë qepën, më pas hudhrën, pasi të ketë marrë ngjyrë shtojmë salcën që e përgatitëm me pjesën e brendshme të domateve dhe pasi të ketë avulluar pak shtojmë dhe mishin, për aromë kalojmë në tigan edhe një shkop kanelle, të cilën e heqim pasi të jetë gati mbushja.

Majdanozin e shtojmë si përbërës të fundit të t`i ruaj vlerat. Hedhim pak kripë dhe piper. Pasi mbushjen e kemi gati dhe patatet kanë zier i kalojmë në mikser i bëjmë pure.

Vazhdojmë me mbushjen e domateve. Fillimisht hedhim pak pure, pak majdanoz, pak djathë që kur të shkrijë të bashkojë shtresat më pas një shtresë tjetër me mish të grirë, sipër prapë vendosim pure dhe pak djathë e majdanoz sipër. Domatet i pjekim në furrë për 30 minuta në 200 gradë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA