I ndërtuar 35 vite më parë, por i pamirëmbajtur dhe pa asnjë ndërhyrje, Pallati i Sportit në qytetin e Gramshit është degraduar totalisht. Godina është jashtë çdo funksioni tashmë.
Shkatërrimit nuk i ka shpëtuar asgjë, që nga infrastruktura e brendshme e deri tek ajo e jashtme, ndërkohë që një rol të madh ka luajtur lagështia.
Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet ky institucion, aty janë ndërprerë të gjitha aktivitetet sportive që organizoheshin dikur.
“Gjendja aktuale është më e keqja e mundshme për shkak të amortizimit të madh të çdo pjese përbërëse. Kjo për shkak të lagështirës dhe mungesës së fondeve për mirëmbajtjen e Pallatit të Sportit. Realisht është e pamundur për t’u bërë një aktivitet normal, qoftë edhe stërvitor. Pallati qëndron kryesisht i mbyllur. Volejbolli s’ka aktivitet si më parë, basketbolli ka kohë që nuk ushtrohet”, thotë Edmond Hida, përgjegjës i Klubit Sportiv.
Përballë kësaj situate, Bashkia e Gramshit ndihet e pafuqishme për shkak të shumës së konsiderueshme që kërkon tashmë rikonstruksioni total i godinës. Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet godina, ajo përbën edhe rrezik, pasi në çdo moment suvatë e saj shemben.
Top Channel