Bushati reagon ndaj komenteve të Bashës: Shpresoj t’i kenë vjedhur llogarinë

03/07/2018 19:41

Pasditen e sotme, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha rishpërndau një status në Twitter të Matteo Salvinit, liderit të Lega-s në Itali, njëkohësisht edhe ministër i brendshëm i shtetit fqinj.

Salvini paralajmëronte se mafias i kishte ardhur fundi dhe se donte të mbahej mend si njeriu që luftoi kundër saj, ndërsa Basha e vijoi edhe më tej komentin e liderit italian të Lega-s.

“Mirëse vjen “Era e Ndryshimit”, Matteo Salvini. Shumë shpejt edhe nga kjo anë e Adriatikut. Mafia shqiptare dhe Rama, që drejtojnë narko-shtetin, duhet të ndjejnë “nxehtësinë” nga Italia, në vend të gënjeshtrave, marrëveshjeve dhe fshehjeve të së shkuarës”, shkruante Basha.

Vetëm disa minuta pas rishpërndarjes së Bashës, ka ardhur edhe reagimi i Ministrit të Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, që e quajti të turpshëm këtë veprim të kreut të PD-së.

“Unë shpresoj shumë që llogaria e udhëheqësit të opozitës shqiptare të jetë vjedhur, përndryshe askush nuk mund të shpjegojë këto komente nxitëse të Lulzim Bashës, kundër popullit dhe vendit të tij. E turpshme!”, shkroi Ditmir Bushati në llogarinë e tij në Twitter.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA