Protesta dhe festa në botë pas sulmeve ndaj Iranit, 23 të vrarë në Pakistan, përplasje pranë konsullatës amerikane
Kryeministrja neozelandeze, Jacinda Ardern zgjodhi një mënyrë mjaft origjinale për të lajmëruar reforma masive për familjet në vend, duke u shfaqur në një video në Facebook me vajzën e saj, Neve, që ende nuk ka mbushur dy javë nga lindja.
Në videon që u pa nga mijëra neozelandezë, Ardern flet për jetën e saj si nënë e re dhe e trajton atë me humor.
“Kjo është gjendja ime e përhershme aktuale. Ose duke ushqyer vajzën me gji, ose duke e mbajtur në krahë”, thotë Ardern.
E ndërsa trajton po ashtu me humor rrathët e syve nga pagjumësia, apo mungesën e makiazhit, udhëheqësja e Zelandës së Re bëhet shumë serioze kur lajmëron reformën e ligjit për familjet, një nga premtimet themelore të fushatës së laburistëve.
Qëllimi i reformës është të shndërrojë Zelandën e Re në vendin më të mirë në botë për të rritur një familje, e gjithashtu të nxjerrë 64 mijë fëmijë nga varfëria deri në vitin 2020.
Ardern thotë se “paketa e familjes” është arritja e saj më e madhe si kryeministre dhe ka hedhur hapa kolosalë për të ndihmuar vendin.
Që prej lajmërimit, leja e lindjes në Zelandën e Re bëhet 22 javë nga 18 dhe do të shkojë në 26 javë në korrik të vitit 2020. Ardern, e cila vet ka marrë vetëm 6 javë leje lindjeje, tha se që prej 1 korrikut, çdo bebe në Zeladën e Re mund të marrë 60 dollarë në javë në vitin e parë të jetës, ndihmë që mund të shkojë deri në 3 vite për familjet në nevojë.
Top Channel