Ligj i ri për seksin në Suedi. A duhet “leje” me shkrim?!

02/07/2018 17:51

Që nga dita e diel partnerët në Suedi duhet të kenë pëlqimin e palës tjetër për marrëdhënie seksuale. A duhet të kesh marrëveshje me shkrim para çdo seksi, pyesin kritikët…

Viktimave të përdhunimit apo seksit të padëshiruar në Suedi këtej e tutje nuk u duhet që të dëshmojnë, se kanë refuzuar gjatë aktit duke thënë “jo”, apo se kanë kundërshtuar dhe janë mbrojtur gjatë aktit, për të dënuar dhunuesin. Aktet seksuale lejohen në këtë vend vetëm nëse bëhen mbi bazë vullnetare.

Pikërisht këtu qëndron edhe problemi, sepse gjykatat duhet të vlerësojnë se çfarë ka qenë pranim vullnetar i një akti seksual dhe a mjafton vetëm dakordësi me gojë për një marrëdhënie seksuale apo duhet të ketë edhe pëlqim me shkrim.

Qeveria në Stokholm, e cila e quan veten feministe, ka propozuar këtë ligj të ri pas debateve shumë të ashpra në fushatën “#MeToo”, në verën e vitit të kaluar.

Në këtë vend skandinav të njohur për barazinë e gjinive, ka nisur asokohe një fushatë e ashpër kundër ngacmimeve seksuale, që ka shkaktuar reagime shumë të mëdha. Mijëra gra janë paraqitur menjëherë pas nisjes së fushatës në opinion dhe kanë rrëfyer historitë e tyre të dhunimeve apo ngacmimeve seksuale.

Pasiviteti nuk është dakordësi
“Seksi duhet të bëhet me vullnet”, theksoi kryeministri Stefan Löfven, në prezantimin e ligjit të ri. Rregullat e reja që janë futur në fuqi këtë të diel, Suedia është vënë në qendër të vëmendjes së opinionit ndërkombëtar. Seksi në këtë vend do të jetë i mundur mbase vetëm nëse paraprakisht nënshkruhet një marrëveshje me shkrim, thonë me gjysmëhumor shumë komentatorë në vend dhe jashtë tij. Kjo e ngarkon shumë atmosferën në dhomën e gjumit.

Por pavarësisht barcaletave dhe humorit mbi këtë ligj, në një sondazh të bërë në Gjermani nga instituti YouGov, gati një në dy vetë ka deklaruar, se do të ishte mirë që edhe në Gjermani të ketë një ligj të tillë. Në Gjermani ekziston ligji sipas së cilit “Jo do të thotë Jo”, në marrëdhëniet seksuale. Pra nëse femra apo mashkulli thotë Jo, atëherë kjo duhet të respektohet nga pala tjetër.

Sipas këtij ligji – në dallim nga ligji i ri në Suedi – viktima e përdhunimit duhet të dëshmojë se ka qenë aktive – me fjalë apo gjeste – në refuzimin e aktit seksual. Pra që ka thënë se nuk do seks apo është mbrojtur nga ky akt i padëshiruar. Në Suedi prej fillimit të korrikut është ndryshe. Nëse nuk ka ndonjë dëshmi të qartë se palët kanë qenë dakord për marrëdhënie seksuale, mund të ndodhë që ndonjëra palë të thotë më vonë se nuk ka dashur seks dhe për këtë pala tjetër të dënohet. Gjykatat në këtë vend nuk do ta kenë fare lehtë për marrjen e vendimeve, sepse gjatë marrëdhënieve seksuale zakonisht nuk ka ndonjë dëshmitar të tretë, thonë kritikët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA