Koreja e Veriut duket se po përfundon zgjerimin e një baze të rëndësishme të prodhimit të raketave balistike. Të paktën kështu sugjerojnë imazhet satelitore.
Hetimi i kryer nga grupi i shkencëtarëve të “Planet Labs” shfaq përfundimin e ndërtimeve në Institutin e materialeve Kimike në qytetin koreano-verior të Hamhungut.
Ky institut është përgjegjës për ndërtimin e pjesëve të raketave balistike dhe zgjerimi i tij s’është aspak lajm i mirë.
Dëshmitë satelitore vijnë pikërisht kur zyrtarë të ndryshëm amerikanë, me në krye presidentin Donald Trump, hedhin dyshime mbi vullnetin e Koresë së Veriut për të hequr dorë nga programi i armëve bërthamore, pavarësisht paktit të muajit të shkuar mes Trumpit dhe Kim Jong-unit në Singapor.
Të dielën, vet Trump tha se, ka mundësi që marrëveshja që i dha fund kërcënimit bërthamor nga Koreja e Veriut të mos funksionojë. Më herët, mediet amerikane kishin raportuar se regjimi komunist ka rritur prodhimin e uraniumit të pasuruar në baza sekrete.
Analistët dhe ekspertët e Koresë së Veriut paralajmërojnë prej kohësh se Peniani dhe Uashingtoni e kanë kuptuar ndryshëm ndalimin e programit bërthamor. Sipas tyre, Kim Jong-un nuk tha kurrë se do të çarmatoset, përkundrazi po armatoset.
Top Channel