Në kulmin e debatit për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe me qeverinë që ka kaluar në mënyrë të përshpejtuar një pr/ligj që i hap rrugë shembjes së godinës aktuale për të vënë në zbatim projektin danez, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta nisë ditën me prezantimin e Turbinës.
“Mirëmëngjes, dhe me këtë dëshmi të mjaftueshme për këdo që ka sy dhe do të shikojë, ndërkohë që më e mira është ende e gjitha përpara nesh, ju uroj një të diele të bukur”, shkruan kryeministri në Facebook.
Ndërkohë në videon e prezantuar shihet transformimi i mjedisit të rrënuar të ish-Laboratorit të Hidrologjisë, në kuadrin e Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, që do jetë qendra e re për artin në kryeqytet.
“Një hapësirë e re ultramoderne për artin e kulturën skenike, e cila do të mbushë më tej boshllëkun e tmerrshëm që krijuan vitet e gjata të rrënimit të vazhdueshëm të infrastrukturës kulturore e të jetës artistike”, thoshte kryeministri Rama kur tregoi për herë të parë idenë e transformimit të kësaj hapësire.
Top Channel