Përmes një ceremonie të shkurtër Austria mori drejtimin e Bashkimit Evropian nga Bullgaria, pikërisht kur tensionet në unionin duken më të larta se kurrë.
Nuk ka dyshim se çështja kontradiktore e emigracionit është prioriteti i axhendës austriake dhe jo më kot motoja e Vjenës gjatë gjashtë muajve të saj në udhëheqjen e BE do të jetë një Evropë që mbron. Veç emigracionit, në rolin e kreut të BE Austria ka parashtruar si prioritetet buxhetin e BE dhe politikat e zgjerimit të bllokut, megjithëse këto të fundit janë edhe detyrime të presidencës.
Sidoqoftë, arritja e rezultateve të prekshme do të jetë e vështirë, pjesërisht edhe për shkak të zgjedhjeve evropiane në maj 2019 dhe negociata problematike për Brexit para largimit të Britanisë në mars të vitit të ardhshëm. Por ndërsa përballja me këto probleme ofron disa muaj kohë për manovra, çështja e emigracionit i ka kaluar tashmë dyert e BE. Kriza politike brenda BE e shkaktuar nga Malta dhe Italia që mbyllën portet për emigrantët, nuk është zgjidhur nga pakti i liderëve të BE i cilësuar i pavlerë nga disa analistë.
Qëndrimi i ashpër i Austrisë ndaj emigracionit me propozimin për të rritur më shumë mbrojtjen e kufijve të jashtëm zor se do ta lehtësojë një zgjidhje. Një sfidë po aq e madhe, por që pret disi, janë negociatat për buxhetin e BE për vitet 2021 – 2027.
Shkurtimi i buxheti për bujqësinë dhe hera e parë që do të jepen fond për mbrojtjen e përbashkët, ka shkaktuar mjaft tension mes anëtarëve të bllokut. Një prioritet i Austrisë që shkon në favor të Shqipërisë është zgjerimi i bllokuat, pasi Vjena, për shkak të pozicionit të saj gjeografik në qendër të evropës kërkon integrim më të madh të fqinjëve të Ballkanit Perëndimir në Union.
Sipas Vjenës, Ballkani perëndimor është pjesë e Evropës në ekonomi dhe siguri, sidomos me rolin e partnerit të besuar që shfaqi gjatë krizës së refugjatëve.
Të martën, BE ra dakord që negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë të hapen qershorin e viti të ardhshëm, megjithëse Vjena preferonte që kjo të ndodhte gjatë presidencës së saj. tashmë, të paktën, mund të sigurohet që progresi të jetë i duhuri nga kandidatët për partnerë të ardhshëm, që të mos ketë më vonesa.
Top Channel