Shoferi i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, është gjetur i pajetë mëngjesin e së shtunës brenda ambienteve të Gardës së Republikës. I ndjeri është Shkëlzen Qordja, 31 vjeç, që prej disa vitesh punonte pranë Gardës së Republikës dhe së fundmi ishte në timonin e makinës së ministrit Fatmir Xhafaj.

Të dhënat e para të grupit hetimor, i cili ka mbërritur në vendngjarje, flasin për një vetëvrasje. I ndjeri është gjetur brenda një automjeti tip Hyndai, në vendin e parë në timon, ku u gjet edhe arma e shërbimit me të cilën dyshohet se është vetëvrarë.

Ishin kolegët e tij të cilët e gjetën pa jetë brenda makinës 31-vjeçarin. Në mëngjes njoftuan autoritetet më të larta dhe në ambjentet e Gardës kanë mbërritur drejtues të lartë të Policisë, Prokurorisë dhe eskpertë mjekoligjorë, të cilët kanë nisur menjëherë hetimet.

Ekspertët kanë përcaktuar se viktima ka një plagë të shkaktuar me armë zjarri nga një distancë e afërt në kokë. Pavarësisht dyshimeve të para për një vetëvrasje, grupi hetimor ka nisur marrjen e gjurmëve të gishtave në armën që është gjetur, tip pistoletë, si dhe në mjetin ku është gjetur viktima.

Gjithashtu ka nisur verifikimi i kamerave të sigurisë të ambienteve të jashtmë të Gardës, për të parë veprimet e 31-vjeçarit para se të futej në makinën ku ndërroi jetë. Serverat e kamerave janë bllokuar, po ashtu edhe regjistrat e urdhërave të shërbimit. Ndërsa janë marrë në pyetje të gjithë gardistët që ishin në vendin e ngjarjes, por edhe të afërmit.

31-vjeçari jetonte në Tiranë dhe gjashtë vitet e fundit detyra kryesore ishte shoqërimi si shofer i Fatmir Xhafës edhe në kohën kur nuk ka qenë ministër i Brendshëm pranë të cilit ka punuar për mbi 8 vite.

Ndërkohë të dhënat e para nga familjarët e të ndjerit të kontaktuar nga Top Channel, nuk tregojnë për ndonjë shqetësim të shfaqur te 31-vjeçarit, duke deklaruar se ngjarja u ka ardhur shumë e papritur. Ndërkohë edhe nga Garda apo Ministria e Brendshme nuk ka patur masa administrative apo disiplinore ndaj shoferit të ministrit të Brendshëm. Këto fakte errësojnë më tepër motivet e kësaj ngjarjeje në dukje si vetëvrasje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA