Të shikosh me sytë e mendjes

30/06/2018 16:25

Të jesh ndryshe nga të tjerët jo gjithmonë privohesh nga ato gjëra që do të bësh.

Luan Qosja është 25 vjeç. Ai kurrë nuk e ka parë dritën e diellit pasi ka lindur i verbër, por kjo nuk e ka penguar atë të jetë një i ri i realizuar. Pavarësisht kësaj, Luani nuk i shpëton komenteve që bëjnë njerëzit.

“Njerëzit gjykojnë duke u nisur nga ajo që ne nuk kemi. Gjithsecili ka diçka që i mungon. Unë mendoj që njerëzit nuk duhet të gjykojnë të tjerët në bazë të asaj që nuk kanë, por në bazë asaj që mund të bëjnë”, shprehet 25-vjeçari.

Luani nuk i njeh ngjyrat dhe as format e objekteve, ato thjesht i mer mend se si mund të jenë. Pavarësisht kësaj, mungesa e dritës së syrit nuk e ka penguar të luajë futboll, të bëjë hedhje me parashutë, apo të jetë një alpinist i mirë.

“Është një nga shakatë që ne bëjmë shpesh me shokët që: unë imagjinatën e kam më të zhvilluar se ty i them sepse ti e shikon diçka dhe nuk lodhesh, kurse unë e ndiej dhe duhet ta imagjinoj se si është”, tregon Luani.

Ndër të tjera, 25-vjeçari nga Elbasani gjen mundësi të ushqejë pasionin e tij për pianon, ku nuk mungojnë dhe kompozimet që me modesti i quan shpikje: “Mua faktikisht më frymëzojnë shumë gjëra. Ajo, deti, një ajo tjetër, një ajo tjetër”.

Ai ka përfunduar studimet pranë Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, në degën e fizioterapisë. Ai thotë që do të bëhet një fizioterapist shumë i njohur, pasi të qënit i verbër dhe fizioterapist ngjall interes tek masa e gjerë e popullsisë.

“Fatmirësisht unë kam arritur ta njoh nëpërmjet mënyrave të mia që kam përdorur për të mësuar. Por, si të themi duke iu falur shqisës time të ndjeshmërisë të përceptimit me anë të të prekurit, çka ma bën më të lehtë praktikimin e këtij profesioni dhe njohjen e muskujve dhe anatomisë në terësi”, shprehet Luani.

Shumë thonë që njeriu nuk ka fuqi të imagjinojë atë që nuk e ka parë. Luani e hedh poshtë një gjë të tillë. Ai nuk sheh pianon, por ndjen tingullin; nuk shikon trupin njeriut, por njeh mirë anatominë. Nuk e di se çfarë është lartësia, por e përjeton atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA