Shakaja e hidhur, komediani i telefonon Trumpit në “Air Force One”

30/06/2018 10:58

Presidenti amerikan ka rënë prè e një rrengu të orkestruar nga një komedian, teksa mori një telefonatë gjatë kohës që gjendej në bordin e “Air Force One”.

Komediani John Melendez u hoq si të ishte senatori Bob Menendez. Ai thotë se kishte folur me dhëndrin e presidentit, Jared Kushner, e më pas kishte marrë një telefonatë nga vet Trump.

Melendez rrëfen se ishte hequr në rolin e senatorit Menendez dhe të një asistenti të rremë.

“Ndonjëherë, kanalet e komunikimit me presidentin janë aq të hapura, saqë gabime të tilla mund të ndodhin”, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN.

Senatori Menendez është një demokrat nga Nju Xhersi, e njihet si një aktivist për reformën e emigracionit. Qeveria amerikane është kritikuar ashpër gjatë javëve të fundit për shkak të politikës së saj të ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre emigrantë në kufirin me Meksikën.

Melendez, i cili njihet me emrin e artit Stuttering John, e regjistroi bisedën e tij me presidentin amerikan dhe e publikoi në “podcast”-in e tij. Në regjistrim, zëri që besohet të jetë i Trumpit e uroi Menendezin për pafajësinë në një çështje ryshfeti të vitit 2017. Ai akuzohej se kishte marrë dhurata nga një mjek oftalmolog (mjek sysh) nga Florida, në këmbim të ndikimit politik.

Dy zërat në regjistrimin e Melendezit dëgjohen të bisedojnë edhe mbi vendin vakant në Gjykatën Supreme, pas vendimit të Anthony Kennedy për t’u dorëhequr muajin e ardhshëm. Zëri që pretendohet të jetë i Trumpit thotë se do të nominojë një gjykatës të ri në Gjykatën Supreme “brenda 10 apo 14 ditëve”.

Kur Shtëpia e Bardhë bëri hetimet e saj me zyrën e Menendezit mbi këtë bisedë me Trumpin, që ky i fundit besonte se e kishte zhvilluar me të gjatë së enjtes, stafi i senatorit mbeti i habitur, raportojnë mediet amerikane.

Ndërkohë, orkestruesi i këtij rrengu shprehet se plani i tij mund të kishte shkuar edhe më keq.

“Ajo që mund të më pyesnin është përkatësia partiake e senatorit Menendez, apo senator i cilit shtet ishte ai, gjëra të cilat mund edhe të mos i dija. Por nuk e bënë këtë”, u shpreh Melendez për CNN.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA