Në Tajlandë është kthyer në çështje dite, bllokimi prej pothuajse një jave i 12 djemve të mitur, të gjithë pjesëtarë të një skuadre futbolli, e trajnerit të tyre, në një guvë të vendit.
Grupin duket e ka zënë në befasi një vërshim i papritur uji. Pas shumë përpjekjesh, ekipet e shpëtimit arritën më në fund të zbulojnë një pikë hyrëse, në kodrat që ngrihen mbi sistemin e ndërlikuar të shpellave “Tham Luang Nang Non”, e kjo i ka dhënë shpresa të reja të gjithë kombit, që pret me ankth lajme nga fëmijët.
Punonjësve vendas të emergjencës u kanë ardhur në ndihmë edhe dy ekspertë britanikë, të cilët mendojnë se kalimi nga tunelet e sipërme duket më premtues, pasi kalimet poshtë janë bllokuar nga ujërat e përmbytjeve.
Deri edhe “drone” që realizojnë imazhe duke ndjekur nxehtësinë janë përpdorur në tentativat e dëshpëruara për të gjetur grupin e zhdukur prej ditësh.
Çështja i ka rënë në vesh edhe Pentagonit, që do të dërgojë një ekip të tijin ushtarak, të specializuar në situatë shpëtimi.
Nga djemtë e grupmoshës 11-16 vjeç dhe trajneri i tyre 25-vjeçar nuk ka më asnjë shenjë që prej së shtunës, kur një roje i parkut zbuloi biçikletat e tyre të braktisura në hyrje të guvës.
Top Channel