Sulmi te gazeta, i mirëkoordinuar. Agresori bllokoi daljen

29/06/2018 18:49

I dyshuari i masakrës së të enjtes në zyrat e gazetës “Capital Gazette” në Maryland përndoqi gazetarët e bllokoi daljen, në mënyrë që ata të mos kishin mundësi t’ia mbathnin.

Kjo është deklarata e prokurorit që po heton çështjen, ndërsa policia u komunikoi më herët reporterëve se i akuzuari Jarrod Ramos nuk po bashkëpunon me hetuesit. Policia gjeti prova se sulmi ishte planifikuar nga agresori që në shtëpinë e tij.

Ramos, 38 vjeç, nuk tha asgjë në daljen e tij të parë në gjyq përmes një videokonference, ku u njoh me 5 akuzat e ngritura ndaj tij, të gjitha për “vrasje të shkallës së parë”.

Gjykatësi urdhëroi burgosjen e tij pa të drejtë lirie me kusht gjatë seancës dëgjimore të kësaj të premteje, në Gjykatën Penale të kantonit Anne Arundel të Marylandit.

Prokurori Wes Adams tha gjatë një konference për shtyp pas vendimit se, i pandehuri “përbënte rrezik për komunitetin” dhe se është akuzuar për “një seri sulmesh brutale ndaj viktimave të pafajshme”.

“Sollëm në vëmendjen e gjykatësit provat që tregojnë rreth një sulmi të koordinuar mirë, – tha Adams. – Bllokimin e derës së pasme dhe shfrytëzimin e taktikave të posaçme për gjuetinë e viktimave të pafajshme për t’i qëlluar më pas”.

Adams deklaroi gjithashtu se Ramos “kishte hyrë përmes derës kryesore dhe përgatiti terrenin për në brendësi të zyrave” gjatë sulmit të tij. Sipas prokurorit, “njëri prej viktimave u përpoq t’ia mbathte nga dera e pasme, por u qëllua në vend”.

Ndërkohë, duke folur nga Shtëpia e Bardhë këtë të premte, presidenti Donald Trump shprehu ngushëllimet e tij.

“Ky sulm tronditi ndërgjegjen e kombit tonë dhe i mbushi zemrat tona me pikëllim. Gazetarët, sikurse të gjithë amerikanët duhen të çlirohen nga frika se mund të bien prè e sulmeve gjatë punës së tyre”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA