Protesta kundër Trumpit pranë Senatit, arrestohen 600 tubues

29/06/2018 03:41

Gati 600 protestues, shumica gra, u arrestuan të enjten pas protestës jo të dhunshme të organizuar prej tyre në zemrën e godinës së Senatit amerikan, kundër “tolerancës zero” të Donald Trumpit ndaj emigrantëve në kufi.

Tubimi masiv ishte një prej disa demonstratave që shpërthyen në pjesë të ndryshme të vendit, duke paraprirë kështu marshimin e madh të grave të thirrur të mbahet të shtunën.

Largimi i Anthony Kennedyt nga Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i ka nxitur edhe më shumë njerëzit të hidhen në veprim. Tërheqja e tij i krijon Trumpit mundësinë të caktojë një ultrakonservator në gjykatën më të lartë të vendit, gjë që shton frikën se mbrojtja e të drejtave civile mund të marrë ndonjë goditje të re.

Gjatë 30 viteve të tij në post, 81-vjeçari Kennedy, i emëruar nga republikanët, shpesh ishte shkëputur prej tyre, duke hedhur votën vendimtare në një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë ato lidhur me abortin, të drejtat e komunitetit LGBT dhe të drejtat e votës.

Protestuesit përpara Senatit thërrisnin mes të tjerash “Neve na intereson”, duke iu referuar kështu shkrimit në xhaketën që mbante veshur Melania Trump, kur vizitoi një qendër të fëmijëve të ndarë nga prindërit në kufi, ku thuhej “Mua nuk më intereson, po juve?”.

Mes personave të prangosur është edhe Pramila Jayapal, anëtare demokrate e Kongresit, që përfaqëson Seattlen, si dhe aktorja Susan Sarandon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA