12 muajt në vijim për qeverinë shqiptare do të jenë muaj intensivë pune përgatitore, për çeljen e negociatave.
“Ka një ndryshim midis çeljes së negociatave imediate dhe në 12 muaj, por është shumë formal. Edhe sikur çelja e negociatave të ishte imediate, ne do të na duhej një punë përgatitore që do të merrte një kohë që shkon deri në 12 muaj. Fakti që çelja e negociatave është e caktuar në 2019, por komisioni do të nisë menjëherë procesin përgatitor. Nuk kemi humbur 12 muaj, por kemi 12 muaj punë që do të bëheshin edhe me hapjen e negociatave”, tha Rama.
Në takimin me strukturat e integrimit në Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme, kryeministri foli edhe për ato që opozita i quan kushte shtesë.
“Më vjen për të qeshur dhe qarë, kur dëgjoj se Europa ka vendosur 13 kushte, por nuk është kështu. Por këtu nuk është çështje kushtet, por përputhshmërisë së shtetit me vendet anëtare të BE, dy organizmat të bëhen një”, u shpreh Kryeministri.
Madje Rama shprehet krenar për faktin që Shqipëria ka bërë më shumë se çdo vend tjetër në këtë fazë, duke përmendur edhe reformat e nisura.
“Të gjithë e dine që dy orë përpara vendimmarrjes nuk kishim tekst për shkak të dinamikës së brendshme të bisedimeve. Procesi është jashtëzakonisht i sofistikuar dhe me mekanizma djallëzorë që vetëm BE mund t’i krijojë dhe ka nevojë për një punë të jashtëzakonshme për të qenë në orar, për të qenë cilësisht të gatshëm për të adresuar problematikat, për të vazhduar thellimin e një procesi që për ne ka nisur”, tha Rama.
Top Channel