Helsinki, qyteti që shkriu akujt mes Lindjes komuniste e Perëndimit kapitalist

29/06/2018 16:30

Zgjedhja e Helsinkit, si vendi ku do të zhvillohet takimi Trump-Putin më 16 korrik, nuk ishte rastësore. Kryeqyteti finlandez ka luatur një rol historik në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Në vitin 1975, ishte pikërisht ky qytet, ku u organizua takimi i presidentit të atëhershëm amerikan, Gerald Ford, dhe udhëheqësit sovjetik, Leonid Brezhnev. Marrëveshja që rezultoi prej atij takimi përfaqëson një shkrirje të akujve mes Lindjes komuniste dhe Perëndimit kapitalist, në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Një dekadë e gjysmë më vonë, me perden e hekurt tashmë të rrëzuar, George H. W. Bush takoi në Mikhail Gorbachev po në Helsinki, pak përpara shembjes së Bashkimit Sovjetik. Brenda më pak se 10 vitesh ishte sërish ky qytet, që u kthye në skenën e përballjes së Bill Clintonit me Boris Yeltsin.

Helsinki, në njëfarë mënyre përfaqëson një territor neutral për Donald Trumpin dhe Vladimir Putinin, duke qenë se Finlanda nuk është pjesë e NATO-s. Si zgjedhje, ai konsiderohet gjithashtu mjaft praktik edhe për një arsye tjetër.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë do të jetë në Europë në atë periudhë për Samitin e Aleancës së Atlantikut Verior dhe një vizitë në Britani.

Putin vet nuk do të lëvizë nga Moska prej finales së Kupës së Botës. Takimi i tyre vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit kanë mbërritur pikën e tyre më të ulët që prej Luftës së Ftohtë.

Por, dy udhëheqësit kanë bërë komente pozitive për njëri-tjetrin, e administrata “Trump” e ka bërë të qartë me kohë se kërkon përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën, ndaj kërshëria e madhe ndaj rezultatit të këtij samiti të rrallë është plotësisht e justifikuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA