Presidenti amerikan Donald Trump tha se kërkimi për të zëvendësuar gjykatësin e tërhequr të Gjykatës Supreme, Anthony Kennedy, do të nisë menjëherë.
“Ne duhet të zgjedhim dikë që do të qëndrojë në post për 40 ose 45 vite”, tha Trump.
Dalja në pension e Kennedy, një konservator që është rreshtuar përkrah liberalëve në shumë raste, i jep Trump shansin të ndryshojë balancat e gjykatës duke e zhvendosur më djathtas për dekadat që do të vijnë.
Gjykatësi 81 vjeçar, do të tërhiqet më 31 korrik. Ai e dha lajmin të mërkurën, duke thënë se donte të kalonte më shumë kohë me familjen, pas 30 vitesh në krye të gjykatës. Trump, më pas, lëvdoi Kennedyn, duke e quajtur atë një gjykatës të madh. “Me shpresë, do të zgjedhim një tjetër gjykatës po aq të mrekullueshëm”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Tërheqja e tij i jep Trump mundësinë të bëjë përzgjedhjen e dytë të tij për gjykatën supreme që kur u bë president dhe ai ka thënë se do të zgjedhë nga një listë prej 25 kandidatëve konservatorë.
Gjykata supreme luan një rol të rëndësishëm në jetën amerikane dhe shpesh është ajo që thotë fjalën e fundit mbi ligje të polemizuara, mosmarrëveshje mes shteteve dhe qeverisë federale dhe apelet përfundimtare të ndalimit të ekzekutimeve. Këtë javë, ajo la në fuqi urdhrin e Trump për të ndaluar hyrjen në SHBA të personave nga disa vende me shumicë myslimane, në një vendim me pesë vota pro dhe katër kundër.
Top Channel