Rruga e Kombit, megjithëse u kushtoi shqiptarëve 1.3 miliardë dollarë, vijon të marrë para nga buxheti i shtetit. Gabimet në projektim dhe zbatim, krahas dëmit ekonomik, kanë shkaktuar dhjetëra aksidente me pasojë vdekjen.
Ndërtimi ka filluar në vitin 2006 dhe megjithëse jemi në qershor 2018, punimet ende nuk kanë përfunduar. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender për rregullimin e këtyre pjesëve dhe janë akorduar rreth 2 miliardë lekë.
Por për inxhinierin Feti Gjeci, që një projekt të kësaj rruge e ka punuar që në vitin 1986 dhe madje të botuar si studim, rruga është sabotuar.
“Këtu kemi të bëjmë me një sabotim. Tuneli është deformuar, pjesa tjetër është nga Kolshi deri tek Tuneli. Autostradat projektohen me 1-2 kthesa maksimalja për kilometra. Janë 21 kthesa nga Tuneli në Kolsh, në një distancë prej 9 km” tha Feti Gjeci, duke shtuar se kjo nuk quhet autostradë për parametrat që ka.
Ndërsa ankesave të banorëve për mungesën e mbikalimeve, prefekti i Kukësit u ka dhënë këtë premtim: “Janë marrë masat e nevojshme janë përcaktuar afatet. Brenda këtij viti do të përfundojnë”.
Përveç fondeve të buxhetit të shtetit për ndërtimin e kësaj rruge është financuar edhe nga Banka Botërore dhe Banka Islamike.
Top Channel