Kongresmeni amerikan Eliot Engel, mbështetës i hapur i shqiptarëve, ka treguar me një gjest të thjeshtë se anën e kujt mban, edhe në rastin e gjobitjes së futbollistëve Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka nga Federata ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) për mënyrën sesi e festuan fitoren, duke bërë shenjën e shqiponjës.
Pas marrjes së mandatit në Kongres, Engel pozoi duke bashkuar duart mbi gjoks, në të njëjtën mënyrë. Veprimi i tij tejet domethënës është përshëndetur gjerësisht nga komuniteti shqiptar.
Por, Engel nuk ishte i vetmi që rreshtohet në anën e Xhakës e Shaqirit. Të njëjtin gjest bëri edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, gjë që ngjalli reagimin e fortë të presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
“Kroatët dhe shqiptarët na urrejnë, – tha ai, duke shtuar se – veprimet e tyre flasin për ta e jo për ne. Ne duhet të shohim sesi të shkojmë përpara, të zhvillohemi. Urrejtja vret atë që urren, jo atë që është objekt i urrejtjes”.
Foton, që duket u ka dhembur shumë, e kanë shpërndarë edhe një pjesë e mirë e medieve serbe. FIFA për çdo rast nuk i ndëshkoi ashpër futbollistëy shqiptarë, duke u mjaftuar vetëm me gjobë, e duke mos i ndaluar të marrin pjesë në ndeshjet e ardhshme.
Top Channel