Propozimi italian për ngritjen e qendrave të refugjatëve në Afrikën Veriore merr goditjen e parë. Libia i tha “Jo” ministrit të Brendshëm të Italisë, Matteo Salvini.
Vendi nga ku nisën shumica e emigrantëve drejt Europës nuk i pranon kampet e pritjes, edhe pse shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me Bashkimin Europian në çështjen e emigracionit të paligjshëm.
Por, Libia e refuzoi “kategorikisht”, që qendra të tilla të ngrihen në territorin e saj, me arsyetimin se një gjë e tillë do të shkelte ligjet vendase.
Salvini, që ishte për vizitë në Tripoli, kërkon kampe në 5 vende afrikane, e ndonëse fillimisht nuk përmendi emra konkrete, nuk vonoi shumë që t’i identifikonte ato publikisht: Libia, Nigeri, Mali, Çadi dhe Sudani.
Kreu i “Lega Nord”-it këmbëngul se qendrat ku do të bëhet grumbullimi dhe identifikimi i emigrantëve do ta ndihmonin si Italinë, ashtu dhe Libinë që t’i vinin frè këtij fenomeni.
Si shpërblim, shtetet që do të pranojnë do të marrin shuma të majme ndihme për zhvillim. Për këtë, Salvini ka ndërmend të këmbëngulë edhe në Samitin e BE-së në Bruksel, në fund të qershorit.
Plani i tij e tkurr ndjeshëm mundësinë që këto kampe të ngrihen, ashtu siç është përfolur shumë ditët e fundit, në Shqipëri e Maqedoni.
Franca dhe Spanja vazhdojnë të këmbëngulin që qendrat e emigrantëve të jenë në Europë, por është Salvini, ai që po i bën rezistencë kësaj ideje.
“Hotspotet për regjistrimin e refugjatëve në Itali nuk janë zgjidhja e problemit, – thotë ai, – sepse nuk e ndërpresin fluksin përmes Mesdheut”.
I pasqaruar është ndërkohë kuadri ligjor për ngritjen e qendrave të tilla të mundshme jashtë BE-së dhe vet Komisioni Europian është shprehur se qendrat e azilit nuk duhet të jenë ligjërisht “vrima të zeza”.
Top Channel