Në Luksemburg mblidhet sot Këshilli i Punëve të Brendshme, i cili mes të tjerash diskuton dhe çeljen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Para se të nisë mbledhja ministrat e Jashtëm të BE-së, kanë folur mbi mundësinë e çeljes së këtyre negociatave, teksa një pjesë e tyre i bëjnë thirrje Francës dhe Holandës të japin “dritën jeshile” për këto dy vende.

“Unë mendoj se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm, dhe mendoj se më në fund ky është rasti, sa e rëndësishme është të jepet një sinjal pozitiv për rajonin”, ka thënë në një konferencë për shtyp Johannes Hahn, eurokomisioneri për zgjerimin.

Në nisje të mbledhjes, ministri i Jashtëm holandez Stef Blok thotë se ka progres të këtyre dy vendeve por nuk është i mjaftueshëm. “Ne kemi parë progres në të dy vendet, Shqipëri dhe Maqedoni, por jo të mjaftueshme, ne duam të shohim të dhëna në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit”, ka thënë Blok.

Por ndryshe nga ai shprehet ministri gjerman Michael Roth. “Ne jemi gati të japim dritën jeshile dhe duam të inkurajojmë miqtë tanë, Holandën dhe Francën të na bashkohen”, tha ai. I pyetur nëse ata do e bëjnë këtë Roth ka thënë se nuk është i sigurt.

Gernot Blumel, ministri federal austriak për BE,shtet i cili do të ketë dhe presidencën e radhës të BE shpreson të arrihet një konsensus për të çelur negociatat me dy vendet e Ballkanit Perëndimor. “Ne gjithmonë kemi qenë në favor të perspektivës së Ballkanit Perëndimor në BE, përfshi dhe Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ne do punojmë për konsensus”, ka thënë Blumel. I pyetur për Francën dhe Holandën, ministri austriak theksoi se shpreson në arritjen e konsensusit.

Dhe ministrat e jashtëm të vendeve të tjera janë shprehur pro hapjes së negociatave. “Do të diskutojmë zgjerimin, sundimin e ligjit dhe Brexit. Lituania mbështet hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që ti bashkohen BE-së, të dyja vendet e meritojnë”, ka thënë ministri i Jashtëm i Lituanisë, Edgar Rinceviks.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA