Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias në një intervistë për “Euractiv” thotë se Evropa duhet të mbajë fjalën e dhënë për Maqedoninë dhe Shqipërinë, duke shprehur mbështetjen e shtetit grek për çeljen e negociatave.
“Çështja është të bëjmë bashkë Francën dhe Gjermaninë për të shmangur destabilizimin e Ballkanit”, thotë shefi i diplomacisë greke për integrimin e këtyre dy vendeve.
“Unë u kam thënë homologëve të mi që të jenë strikt sa të duan. Por ne nuk mund të bllokojmë këtë perspektivë. Kam frikë se nëse nuk jepet një datë pranimi për Maqedoninë e Veriut, të gjitha këto përpjekje që ne kemi bërë me sakrifica të mëdha dhe kompromise nga të dy palët, mund të vihet në rrezik. Për më tepër, nëse një nga të dy vendet nis negociatat, dhe le të themi, Shqipëria lihet jashtë, do të krijonte një gjendje paqëndrueshmërie në rajon. Nëse disa vende kanë çështje me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duhet t’i thoshin më parë. Tani, ne kemi raportin e Komisionit dhe propozimin për të shqyrtuar hapjen e negociatave. Tani ne e kemi arritur këtë pikë dhe duhet ta bëjmë. Evropa duhet të mbajë fjalën e saj. Gjermania duhet të jetë më e hapur për propozimet e Macron, ose së paku të përgjigjet për të ardhmen e Evropës. Mendoj se nevojitet më shumë qartësi nga ana e Gjermanisë. Dhe pala franceze duhet të pranojë të çelë këto negociata; duke pasur parasysh një qasje më pozitive që Berlini duhet të tregojë. Ne nuk na duhet të humbim, të fitojmë apo të ndahemi në dy kame, fitues e humbës. Ajo që duhet të bëjmë është të promovojmë vizionin evropian”, është shprehur Kotzias.
Lidhur me negociatat me Shqipërinë, ministri i Jashtëm grek shpreh optimizëm për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, por sipas tij partitë opozitare në të dyja shtetet nuk duhet të reagojnë në mënyrë histerike.
“Dua t’ju them gjithashtu dhe këtë po e them për herë të parë, se qeveria tjetër, në vitet ’90 ka debatuar për “Çamërinë”. Gjithashtu kam dëshmitarë që ishin prezent në ato diskutime. Por ata u prezantuan sikur sapo kishin hyrë në politikë dhe nuk kishte të shkuar. Dhe, në përgjithësi, partitë opozitare tentojnë të krijojnë përmbushjen e paragjykimeve kur janë në pushtet dhe më pas na fajësojnë. Ata thonë gjithashtu se ne po braktisim Epirin e Veriut. Nëse ata nuk e kanë kuptuar ende, me marrëveshjet ndërkombëtare dhe Aktin Final të Helsinkit, Epiri i Veriut është pjesë e Shqipërisë dhe ne nuk kemi qëllim të ndryshojmë kufijtë. Këto janë psikoza që dëmtojnë vendin dhe nuk kanë të bëjnë me politikën evropiane të dialogut dhe kompromisit. Ballkani, bashkë me Greqinë e cila ka më shumë eksperiencë, duhet të ecin para së bashku në një të ardhme evropiane të përbashkët. Sepse asnjë vend në rajon nuk do të llogaritet shumë në të ardhmen në një Union me 40-45 shtete anëtare”, shprehet Kotzias.
Marrëveshjen për emrin me Maqedoninë, Kotzias e quan si lajmin më të mirë për Evropën në këto pesë vitet e fundit, për një çështje që lindi në kohën e krizës ekonomike në Greqi, vijon ai.
Top Channel