Basha: Balla, garant për paratë; Numri dy i PS-së padit kreun e PD-së për shpifje

25/06/2018 16:11

Një ditë pasi u kapën jo një, por dy Toyota dhe me një shumë edhe më të madhe se ajo për të cilën foli kreu i opozitës, Lulzim Basha iu përgjigj interesit të gazetarëve se nga i kishte ardhur informacioni.

Duke ruajtur burimin, ai ritheksoi akuzën ndaj Taulant Ballës, sipas tij garant për hyrjen e parave në vend.

“Mund t’ju them vetëm tre gjëra. E para, që paratë janë të një prej bandave më të rrezikshme të trafikut të drogës, aktive kryesisht në zonën e Elbasanit, por edhe të gjithë Shqipërisë.
E dyta, Taulant Balla kishte marrëveshje për të garantuar hyrjen e këtyre parave pa problem në Shqipëri.
E treta, policia shqiptare ka qenë nën presionin e një prej partnerëve tanë për të vepruar. Është një nga vendet partnere, i cili është skeptik përsa i përket kushteve të Shqipërisë për integrimin, në veçanti kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Basha.

Ka pasur dekonsiprim, tha kreu i opozitës, ndërkohë që sipas tij pyetja që duhet të marrë përgjigje është se ku do të shkonin këto para’. Basha e ka përgjigjen e tij: “Çfarë e lidh Sajmir Tahirin, Fatmir Xhafën, Taulant Ballën, Erjon Veliajn, çfarë i lidh këta të katërt, përveç Edi Ramës, bosit të bosëve, çfarë i lidh? I lidh trafiku i drogës, pastrimi i parave, ndërtimi i kullave. Unë merrem me anën politike. Unë e kuptoj dëshirën që unë të merrem me anën policore dhe të prokurorisë, se këtu policia dhe prokuroria kanë përfunduar aty ku kanë përfunduar, por këtë nuk mund ta bëj unë. Këtë do ta bëjë do ta bëjë shteti që do ta ndërtojmë bashkë me shqiptarët nesër”.

Menjëherë pas akuzave të kreut demokrat, sekretari i përgjithshëm i PS-së njoftoi se do të dilte para medias. Por dalja u anulua pas një postimi që Taulant Balla bëri në Facebook, ku nuk dha asnjë reagim mbi çështjen e ditës, por e cilësoi Bashën të pabesueshëm në krye të një opozitës që, sipas tij, po bën teatër.

Pas njoftimit zyrtar të Policisë Shtetit mbi ngjarjen, Balla i tha Top Channel se do të kallëzojë penalisht kreun e PD-së dhe çështjes do t’i shkojë deri në fund.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA