Samiti i BE-së për refugjatët. Liderët diskutojnë mes tensionesh për ngritjen e kampeve

24/06/2018 21:18

Liderët e Bashkimit Evropian mbështetën planet për ngritjen e qendrave për pritjen e emigrantëve në Afrikën Veriore dhe në Ballkan, ndërsa tensionet mbi mënyrën se si duhet menaxhuar situata kërcënojnë të dëmtojnë unitetin e bllokut.

Në bisedimet urgjente në Bruksel, një grup prej 16 vendesh, kryesuar nga Franca dhe Gjermania, debatuan se kush duhet ta mbajë përgjegjësinë për emigrantët që mbërrijnë në Evropë. Numri i të ardhurve në Evropë ka rënë në mënyrë të konsiderueshme këtë vit, por trazirat politike në bllok në lidhje me këtë çështje janë rritur. Partitë antiemigrantë dhe qeveritë në Hungari dhe Itali kanë ushqyer frikën e publikut nga të huajt dhe kanë fituar mbështetje duke e bërë këtë.

BE-ja është e gatshme që të ndezë dritën jeshile për ngritjen e qendrave të përkohshme në Algjeri, Egjipt, Libi, Marok, Nigeri dhe Tunizi. Madje flitet edhe për bisedime për hapjen e një qendre të tillë në Shqipëri, pavarësisht se qeveria shqiptare e mohon një gjë të tillë.

Sipas Presidentit francez, Emmanuel Macron, e gjithë kjo do të kërkonte një punë të përbashkët mes vendeve të tranzitit dhe origjinës, jashtë BE-së, duke përmendur Libinë, vende të tjera afrikane dhe Ballkanin. Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila po përballet me një krizë të brendshme politike në lidhje me emigracionin, ka lënë të kuptohet se samiti i pritshëm i BE-së që nis të enjten, nuk do të mund të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për çështjen dhe po punon për marrëveshje dypalëshe apo trepalëshe për të zbutur presionin aktual.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte tha se do të propozonte një plan që do të ndryshonte mënyrën se si Evropa menaxhon emigracionin, ndërsa kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, i kërkoi partnerëve evropianë që të ndihmonin vendin e tij në pritjen e të ardhurve nga përtej Mesdheut. Apeli i tij vjen në një kohë kur tensionet mbi emigracionin janë ndezur edhe në Mesdhe. Italia me qeverinë e saj po kthen mbrapsht emigrantët e shpëtuar në det e të njëjtën gjë po bën edhe Malta.

E pavarësisht bisedimeve të së dielës, çështja duket se do të pushtojë edhe samitin dyditor të së enjtes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA