“Qytetarët dhanë votën dhe folën qartë”. Me këto fjalë Reccep Tayip Erdogan shpalli fitoren edhe për një tjetër mandat 5-vjeçar në krye të Turqisë. “Do të bëj më shumë për kombin. Grindjet që ndodhën gjatë fushatës do t’i lëmë pas krahëve dhe do të nisim punë për t’i shperbyer atdheut”, tha Erdogan në fjalimin e fitores.
Reccep Tayip Erdogan fiton edhe një tjetër mandat 5-vjecar në krye të Turqisë. Ai mori mbi 52% të votave ndaj rivalit më të afërt, Muharrem Ince (30%).
Këto zgjedhje konsideroheshin si sfida më e madhe elektorale për Erdoganin në 15 vitet e tij në pushtet. Rreth 60 milionë zgjedhës kishin të drejtë vote.
Erdogani fitoi me vështirësi një referendum në 2017 për të kaluar nga sistemi parlamentar në një presidencë të fuqishme ekzekutive. Presidenti, pas këtyre zgjedhjeve, do të ketë fuqi shtesë. Roli i kryeministrit shkrihet dhe Presidenti merr autoritetin e lëshimit të ligjeve përmes dekreteve.
Turqia mbetet në gjendje të jashtëzakonshme të vendosur që pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik 2016. Këto zgjedhje do të mbaheshin në nëntor të vitit të ardhshëm, por Erdogani i shpejtoi ato.
Zgjedhjet u zhvilluan nën masa të lartë sigurie. Vetëm në Stamboll, 38 mijë policë ishin në detyrë gjatë ditës.
Top Channel