Lulishtes përballë Presidencës i janë shtuar dy “banorë” të rinj, aq të dashur për fëmijët, Çufoja dhe Bubi Kaçurrel, të cilët këtë vit kanë mbushur 40 vjeç. Dy personazhet, që kanë shoqëruar fëmijërinë e shumë shqiptarëve, janë përjetësuar tashmë jo vetëm në kujtesën tonë me batuat e tyre, por edhe përmes këtij instalacioni.
Vepra artistike “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel” vjen si një promemorie në 40 vjetorin e botimit të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të dashur për fëmijë, Gaqo Bushaka, dhe imiton letrat origami të zmadhuara, si një mënyrë për të ngacmuar memorien e të rriturve, por edhe për të nxitur fëmijët të frekuentojnë këndin e lojërave aty pranë.
Çufoja dhe Bubi Kaçurrel është shkruar për herë të parë në vitin 1978, prandaj ky inaugurim sillet në 40 vjetorin e krijimit të tyre. Të vendosur në lulishten karshi Presidencës së Republikës, pranë Qemal Stafës, Ismail Qemalit, dhe kompleksit të Checkpoint të diktaturës, vepra artistike “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel” i kushtohet fëmijëve, që u rritën me përrallat dhe letërsinë e gjuhës shqipe.
Top Channel