Deputetët e LSI herë pas here po tregojnë edhe me deklarata edhe me veprime që nuk janë në sintoni me Partinë Demokratike, madje as me kryetaren Kryemadhi apo numrin një të grupit parlamentar, Vasili.
Fillimisht këtë të enjte shenja luhatjeje dha Luan Rama. Ndërsa foltorja ishte e bllokuar vazhdimisht nga Lulzim Basha, refuzoi ta merrte fjalën qoftë edhe nga vendi duke shfaqur këtë ankesë.
“Në kushtet kur ky Parlament funksionon në anormalitet të plotë, në mungesë përgjegjshmërie dhe seriozitet, unë refuzoj ta marr fjalën”, tha Rama.
Por pas seancës deputeti i LSI-së e përgjithësoi fajësinë për mungesën e dialogut në Parlament. “Jo, nuk jam i pakënaqur me mënyrën se si opozita, dhe jo vetëm PD, por jam i pakënaqur me mënyrën se si administrohet Kuvendi i Shqipërisë, i cili është kthyer në një skenë turpi. Këtu nuk ka më parlamentarizëm, dhe çdo gjë tjetër është e kotë”, tha Rama.
Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të LSI-së e kanalizon çdo përgjegjësi për mungesën e seancave normale tek kryeparlamentari Ruçi.
“Zoti Luan Rama kërkoi fare mirë të kishim mundësi të vazhdonim, dhe kreu i PD të fliste fjalën e tij, pasi iu vu në dispozicion e gjithë koha e grupit të vetë parlamentar, dhe ndërkohë që qendrimi për Parlamentin është një parlament uzurpator që ka hequr të drejtën e fjalës”, tha Vasili.
Edhe pse LSI deklaron vazhdimisht soliditetin e saj, pavarësisht qëndrimeve të disa deputetëve, fakti është se zyrtarisht grupi prej 19 deputetësh është sot me një më pak. Robert Bitri ka braktisur LSI, duke u renditur tek deputetët e pavarur. Shenjat që e diferencuan nga qëndrimet e LSI i shfaqi që në fillim të aksionit opozitar me PD-në, duke refuzuar bojkotin dhe duke qëndruar për votim në seancë.
“Kështu e mendoj unë, është e drejta ime apo jo”, tha Bitri.
Në këto veprime ai nuk ka qenë vetmi. Këtë të enjte Bitri dha një votë krah për ligjet, ndërsa për votim qëndruan edhe ish-ministrat Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti dhe Nasip Naço, edhe pse duke votuar kundër. Para pak javësh shtypi butonin e votimit edhe deputeti tjetër i LSI nga Shkodra, Agron Çela.
Top Channel