Në Rodos të Greqisë ka filluar Konferenca e 3-të për Sigurinë dhe Stabilitetin, me pjesëmarrjen e 25 përfaqësive nga vendet e Europës Juglindore, të Mesdheut, të Lindjes së Mesme, OKB-së, Organizmit për Bashkëpunimin e Vendeve Arabe, si dhe vëzhguesve nga Vietnami, Kolumbia dhe Indonezia.
Në konferencë merr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili do të takohet në kuadër të saj edhe me homologun e tij grek, Nikos Kotzias.
I pyetur për këtë takim gjatë mbërritjes së tij në sallën e konferencës, Bushati ka deklaruar:
“Është edhe ky takim (me Kotziasin) pjesë e vizitës sime këtu. Ne po diskutojmë dhe do të vazhdojmë të diskutojmë me mikun tim, Nikos Kotzias, për axhendën dypalëshe. Siç e dini, ne kemi bërë progres thelbësor në shumë çështje kohët e fundit”.
Në mediet greke është bërë tashmë i njohur lajmi se, Athina zyrtare do të përfundojë brenda pak kohësh edhe paketën e çëshjeve me Shqipërinë, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës, që arritën Athina dhe Shkupi në lidhje me çështjen e emrit të fqinjit verior të Greqisë.
Top Channel