Ka degraduar në sherr dhe ofendime mes kryetares së Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës seanca dëgjimore e programuar për t’u zhvilluar këtë të martë.
Sipas Albana Vokshit, për të raportuar mbi projektligjin e ri për Teatrin Kombëtar ishte thirrur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ndërsa të mërkurën seanca do të duhej të zhvillohej me kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Por Erjon Veliaj u paraqit sot në komision, pasi të mërkurën i duhet të udhëtojë drejt Barcelonës, në një konkurs ndërkombëtar, ku konkurron edhe projekti i sheshit “Skënderbej”.
Prezenca e tij nuk është mirëpritur nga deputetët e opozitës.
“Mbylle mikrofonin ju lutem sepse nuk ju kam dhënë fjalën. Keni ardhur i paftuar sot sepse nuk doni të lini ministren vetëm. Ju lutem Garda, nxirreni jashtë kryetarin e bashkisë! Zbatoni ligjin”, tha Vokshi.
Veliaj përdori fabulën e themelimit të Partisë Demokratike për të ilustruar ndërtimin e një teatri të ri: “PD u themelua në një shtëpi tek Rruga e Kavajës, pastaj u transferua tek zona e Toptanit. Sot tek zona e Shqup-it, pra po të jetë për nostalgji, PD-ja thotë që po rritet dhe ka nevojë për zgjerim dhe prapë nuk i tha njeri gjë se gjithsesi është parti kryesore, do të zgjerohet”.
Më tej, Veliaj tha se PD-ja edhe më herët ka kundërshtuar vendimet e Bashkisë së Tiranës, por më vonë ka rënë dakord me to: “Shkoni tek lodrat sot. Atje keni Aldon, edhe Noka kur nuk është në kamera aty i çon fëmijët. Të njëjtën gjë pashë tek Pazari i Ri, harruat që për 10 vjet sheshi “Skënderbej” u bllokua nga këta? E njëjta gjë tek Bulevardi i Ri, fëmijët e tyre janë duke mësuar biçikletat sot tek Bulevardi i Ri”.
Pas daljes së Veliajt, edhe ministrja e Kulturës bojkotoi komisionin.
“Po presim 24 orë derisa ministrja të paraqitet. Do të bëjmë transparencë. Jemi të vendosur për të ndaluar këtë akt kriminal që po e përgatit partneriteti Rama-Veliaj-Fusha”, deklaroi Vokshi.
Top Channel