Operatorët turistikë që takoi pranë detit në Durrës, iu ankuan Kryeministrit për informalitetin dhe konkurrencën e pandershme. Rama foli për një inovacion të rëndësishëm teknologjik, që tha se bazohet në modele të suksesshme në Kroaci e vende të tjera, që ulin shpenzime per kasat fiskale.
“Ministria e Financave po punon intensivisht për këtë program që do t’i vihet në dispozicion të gjitha bizneseve, për të mundësuar regjistrimin online të çdo transaksioni, në kohë reale. Është një domosdoshmëri dhe teknologjia e mundëson duke lehtësuar bizneset nga barra e rëndë e mirëmbajtjes së kasave”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, lehtësirat fiskale për agroturizmin dhe projektet në ndihmë të kujt dëshiron të investojë në këtë sektor, synojnë kryesisht të joshin emigrantët shqiptarë.
“Ne po hapim një rrugë për kanalizimin e parave të emigrantëve. Jam i sigurt se po të marrin lapsin dhe të investojnë te shpia babës në fshat, lë të rrijë atje, do të fitojnë më shumë në vit se puna atje për llogari të një tjetri”, vijoi Rama.
Ndërsa hotelet me 4 dhe 5 yje, sipas Kryeministrit, do të ndihmojnë në ndryshimin e imazhit negativ që i krijojnë vendit, ata që Rama i quan turistë politikë.
“Vijnë për vizita pune po në fakt janë vizita turistike, njëri erdhi në aeroport dhe tha nuk dal, dua makinë të blinduar, roje me armë… me erdhi në zyrë më kërkoi falje”, rrëfeu Rama.
Për operatorët turistikë që i kërkuan ndihmë në tërheqjen e turistëve skandinavë, Rama u shpreh i gatshëm të jepte një kontribut personal.
“Më kërkuar t’ju ndihmoj në promovimin për turistët skandinavë, tregojuni ato foto e mia të hershme. Tani ësht ëkohë tjetër, nuk bëj dot më si ato”, tha Rama.
Top Channel