Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump shprehet e shqetësuar nga politika e shumëdiskutueshme e ndarjes së familjeve që hyjnë ilegalisht në vend, në një kohë kur është pikërisht linja e tolerancës zero për emigracionin, e ndjekur nga i shoqi, ajo që po shkakton polemika të mëdha.
“Zonja Trump e ka shumë të vështirë t’i shohë fëmijët të ndahen nga të afërmit e tyre dhe dëshiron një reformë të suksesshme emigracioni”, tha zëdhënësja e saj.
Në debatet që ka ngjallur kjo situatë është përfshirë edhe ish-Zonja e Parë, Laura Bush, që e cilësoi këtë lloj politike “të pamoralshme dhe mizore”.
“Unë jetoj në një shtet kufitar, – ishte komenti i saj. – I vlerësoj përpjekjet për mbrojtjen e kufirit tonë të jashtëm, por kjo që po ndodh ma copëton zemrën”.
Në 6 javët e fundit, gati 2.000 familje janë ndarë pas ndërhyrjeve energjike në kalimet kufitare.
Shume prej të rriturve që përpiqen të hidhen në anën tjetër në mënyrë të paligjshme, e pastaj të kërkojnë azil, ndalohen e përballen me ndjekjen penale. Për rrjedhojë, me qindra të mitur tani po strehohen nëpër qendra pritjeje, të shkëputur prej prindërve e të traumatizuar, veprim ky i kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut si i paprecedentë.
“Na duhet një vend që zbaton ligjet, por që qeveriset gjithashtu me zemër”, thuhet në deklaratën e Melania Trumpit, që i bën thirrje republikanëve e demokratëve të punojnë së bashku për këtë çështje.
Vet shefi i Shtëpisë së Bardhë pretendon se janë demokratët, ata që ia bënë dhuratë ligjin ku diktohet një politikë e tillë, por nuk është e qartë se cilit ligj i referohet me saktësi.
Top Channel