E pajustifikueshme për Edi Ramën është për Partinë Demokratike vendimi i Këshillit Bashkiak të Hasit për shpalljen “Qytetar Nderi” të Gafurr Mazrrekut, me motivacionin “Personalitet Intelektual, në kontributin e pashoq në Pushtetin Vendor”.
E teksa Rama, me anë të një deklarate për shtyp nga zyra e Kryeministrisë, distancohet totalisht nga vendimi i këshilltarëve të Hasit, e gjithashtu kërkon nga Prefektit të Kukësit refuzimin e firmosjes së atij vendimi.
Por PD, kjo nuk mund ta justifikojë Edi Ramën në vendimin për të dekoruar njeriun që qëlloi me armë brenda sallës së Parlamentit, Azem Hajdarin.
“Asgjë nuk mund ta justifikojë Edi Ramën në vendimin kriminal për të dekoruar njeriun që qëlloi me armë brenda sallës së Parlamentit Liderin e Lëvizjes Studentore Azem Hajdari! Firma e prefektit nuk është zgjidhja! Është vetëm një mjet që Edi Rama të mos marrë përgjegjësi!”, thuhet në reagimin e PD.
Në deklaratën e PD kërkohet nga kryeministri Rama shkarkimin e kryetarit të Bashkisë Has, Adem Lala.
“Që të tregojë distancim të vërtetë prej vendimit kriminal, Edi Rama duhet ta shkarkojë sot Kryetarin e Bashkisë së Hasit, përfaqësues i Partisë Socialiste, i zgjedhur nga Edi Rama. Të ruajë të njëjtin standard si me këshilltarët e Kukësit që morën pjesë në protestë, të cilët, në pamundësi për t’i shkarkuar, i përjashtoi nga Partia Socialiste”, thuhet në deklaratën e PD, e cila thekson më tej se: “Derisa të bëjë këtë akt të vërtetë distancimi, Partia Demokratike e konsideron Edi Ramën si urdhëruesin e dekorimit të atentatorit të Azem Hajdarit, për të cilin do të mbajë përgjegjësi personale!”
Top Channel