Shkoi në Peshkopi këtë të dielë për turin e “Llogaridhënies për qytetarët” dhe për t’u uruar dibranëve nisjen e punimeve në “Rrugën e Arbrit”, por Edi Rama u surpriza, kur pa sesi mazhoranca e tij u forcua sa hap e mbyll sytë, duke u shtuar me dy deputete të reja.

Reme Lala, e cila fitoi mandatin me PDIU-në në Dibër dhe Elena Xhina në Elbasan nuk e kishin fshehur asnjëherë simpatinë për Partinë Socialiste dhe sot ia thanë në sy kreut të ekzekutivit se i bashkohen zyrtarisht mazhorancës qeverisëse.

Vajza dibrane, Lala, mbajti një fjalim të gjatë në Peshkopi ku deklaroi se do i bashkohet ‘më të mirëve’.

“Unë iu kam thënë dibranëve që unë nuk kam parti, partia ime është Dibra. Nuk bëhem pjesë e lojërave politike. Në këtë vit të parë kam mundur të shoh e të përjetoj shumë gjëra dhe kam kuptuar se nuk janë të gjithë njësoj si nga televizor. Unë dua të bashkohem me më të mirët, me Olta Xhaçkën dhe Lindita Nikollën. Dua të bashkohem me PS, se nuk jemi më të mirët, por më të mirë nuk kemi parë”, tha Lala.

E teksa e falënderoi Edi Ramën për premtim e mbajtur për “Rrugën e Arbrit”, duke thënë me shaka se “i shpëtoi mandatin”, Lala nuk i kurseu aspak fjalët e mira për “shefin” e saj të ri.

“Gjithmonë zemrën peshë ke për të na e mbajtur me këto surpriza zoti Kryeministër. Kjo është rruga e ëndrrës së çdo dibrani. Gëzimi i madh sot edhe për Dibrën e Madhe, ne këtej dhe vëllezërit e motrat tona andej kufirit. Në këtë shesh ku jemi sot, në çdo fushatë të çdo partie rruga e Arbrit ka qenë kryefjala e premtimeve dhe pas çdo zgjedhjeve kryefjala e zhgënjimeve. Faleminderit Edi Rama se ma shpëtove mandatin. Bravo të qoftë se përsa i përket Dibrës, i shpëtove nderin politikës, qeverisë dhe vetes”, tha deputetja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA