Mediat kineze u tallën me Presidentin Donald Trump për tarifat e reja që ai ka vendosur ndaj mallrave kineze, duke thënë se njerëzit e zgjuar ndërtojnë ura, ndërsa budallenjtë ndërtojnë mure.
Trump i lajmëroi tarifat e reja prej 25% ndaj 50 miliardë dollarëve mallra kineze të premten, duke thënë se Kina vjedh të drejta e autorit. Pekini reagoi menjëherë dhe miratoi tarifa të njëjta që do të hyjnë në fuqi më 6 korrik, po ashtu si ato amerikane. Bursat e ndjenë fort këtë zhvillim dhe pësuan humbje, ndërsa rritet frika për luftë tregtare.
Mediat shtetërore kineze në këtë kuadër nisën një sulm të përbashkët ndaj masave amerikane, duke i cilësuar ato të gabuara.
“Ndjekja e rrugës së zgjerimit dhe hapjes është reagimi më i mirë i Kinës ndaj kontradiktave tregtare që ka me SHBA, gjithçka që gjithashtu është përgjegjësi e vendeve të mëdha ndaj botës. I zgjuari ndërton ura, ndërsa budallai ndërton mure”, shkruhet në një opinion të agjensisë së lajmeve Xinhua.
Ndërsa në organin e shtypit të Partisë Komuniste, në gazetën “E Përditshmja e Popullit”, dënohet ashpër fiksimi i administratës amerikane për të luajtur rolin e turpshëm të shkaktarit të kaosit në ekonominë globale.
Megjithatë, duket se autoritetet kineze ende besojnë se lufta tregtare mund të shmanget, pasi në gazetën “Global Times” shkruhet se ndryshimet e befta të qëndrimit nga administrata Trump bëjnë të mendohet se është ende herët për të shpallur luftën tregtare.
Top Channel