Është ditëlindja e parë e një prej fëmijëve të Adrianës, viktimës më të fundit të dhunës në familje. Ermira, një nga gjashtë fëmijët e saj mbushi 13 vjeç. Përtej dhembjes së madhe, urimi nuk mungon.
Muret e zbrazur të familjes Shahulli në ish-Kënetë të Durrësit janë hijeshuar nga një pikturë-mesazh e vajzës së madhe të Adrianës. Mungesën e nënës e ka shprehur në art, shoqëruar me mesazhin se nuk ka si “kraharori i nënës”.
Ka kaluar një javë që nga vrasja e dhunshme e nënës së gjashtë fëmijëve të moshës nga 18 deri në 8 vjeç. Mungesa e saj ndihet kudo. Në rrugicën që përshkonte teksa nxitonte për në punë, në dhomat e zhveshura që pastronte e sistemonte, te kushdo që e njihte, po mbi të gjitha te fëmijët. Ajo ishte gjithnjë aty për ta. Punonte për ta, jetonte për ta. Edhe martesën me një bashkëshort të dhunshëm e që nuk punonte e mbante në këmbë për ta. Prej një jave, nuk është më.
“Ajo ishte çdo gjë e mirë. Gjithçka. Në çdo moment na gjendej pranë. Ishte shumë e papritur ajo që ndodhi. Nuk e kishim menduar asnjëherë. Gjëra që ndodhin. Ai gjeti rastin që mami ishte vetëm. Nuk ishim në shtëpi”, thotë një prej vajzave.
Kanë përjetuar dhunën në familje gjatë gjithë jetës së tyre e tani djali dhe vajza e madhe, nxënës në shkollë të mesme profesionale, ndjejnë përgjegjësinë që u ka lënë pas mungesa e prindërve. Nevojat janë të mëdha, por asgjë nuk i mundon më shumë se mbështetja e nënës vetëm 42-vjeçare, që nuk e kanë më.
“Do e mbaj deri në fund këtë përgjegjësi për hir të mamit. Çdo ditë me atë ka qenë e bukur dhe e veçantë. Nuk kishte ditë të fundit me atë. Ajo që kemi më shumë nevojë është mbështetja e mamit. Kemi nevojë për gjithçka edhe rikonstruksionin e shtëpisë dhe e dimë se gjithçka vjen e do të vijë është nga ajo”, shprehet vajza e madhe.
Gjyshërit e tyre, prindërit e Çelnikut, vuajnë atë që ndodhi e që nuk mundën ta parandalojnë.
“Ka qenë nervoz dhe fëmijë… I flisnim se nuk donim ta shihnim ashtu me grindje në shtëpi… Ne ishim në fshat dhe e morëm djalin të mos grindej me të shoqen. Ishim pa drita dhe me pensionin e plakut vendosëm të paguanim dritat se gjynah fëmija pa drita. Na duhej një kartë nga Korça e shkuam në fshat, po ta dija se ngjante kjo”, thotë e ëma e Çelnikut.
Me pensione të vogla kooperative, Zaimit e Naimes u duhet që veç përballjes me problemet e pleqërisë, të mbajnë dhe familjen e bashkuar. Të vetëm nuk mund t’ia dalin, ndaj apelojne per te ndihmuar 6 femijet jetime.
Top Channel